Thursday, August 29, 2013

Do të ketë video të tjera për Dafinën


Besfort Hasanaj, promotori i kanalit “Besfort Video M1”, ashtu sikurse ditë më parë ka paralajmëruar lansime të videove tjera të këngëtares Dafina Zeqiri, ku ajo fyen kolegët e saj. Hasani ka nxjerrë në pah disa nga incizimet e Dafinës që janë bërë gjatë periudhës së krijimtarisë së saj muzikore. I tërë ky konflikt i tyre ka nisur kohë më parë kur këngëtarja shkëputi kontratën me “Besfort Video M1”, për shkak të bashkëpunimit që lidhi me producentin nga Suedia, Damir Jahiç Çekic, me të cilin vazhdon ende. Sipas Besfortit janë të shumta incizimet që posedon ai, ku këngëtarja e suksesshme në masë të madhe ka bërë lloj-lloj intrigash dhe fyerjesh për kolegët e saj vetëm e vetëm për të qenë e para në botën e shoubiznesit shqiptar. Në njërën nga videot e plasuara, Dafina përmes një interviste në njërën nga televizionet tona nuk ka pranuar faktin se ajo ka pasur kontratë me kanalin “Besfort Video M1” dhe sipas Besfortit kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet e shumta që e ka shtyrë ta publikojë këtë video, e cila ka bërë bujë nëpër portale. “Ne jemi ata që e kemi ngritur Dafinën. Jam ndier shumë i ofenduar nga intervista e saj dhënë në një medium kosovar, ku ka gënjyer se kurrë s’ka pasur kontratë me ‘Besfort Video M1’. Ajo këtë deklaratë e ka dhënë me porosi të shfalerit të saj, boshnjakut Çekic. Mollë sherri është komercializimi i You Tube-s apo tradhtia e saj nga M1 rreth kontratës për menaxhimin e videos, ku ne kemi pasur tri kontrata me Dafinën nga viti 2009, 2011 e 2012. Dafina ka marrë avans ‘lekë’ nga kompania konkurrente ‘Onair’ vetëm për t’u shkëputur nga M1, i cili pa asnjë përfitim material ka promovuar Dafinën dhe i cili është ndër më meritorët për suksesin e saj”, ka thënë Besforti për Zëri. Sipas tij, Dafina e ka dëmtuar edhe materialisht kanalin e tij. 80.000 euro është shuma që ky kanal ka humbur për shkak të Dafinës. “Më ka tradhtuar dhe më ka dëmtuar materialisht, mbase më ka ofenduar edhe moralisht. Ajo për lekë e ka shitur edhe familjen e vet e lëre më mua”, ka shtuar ai. Besforti ka për qëllim të poshtërojë Dafinën, sepse siç thotë ai, ajo e meriton një gjë të tillë. Ai thotë se do të nxjerrë në shesh edhe disa video të saj, por këtë do ta bëjë pasi të shohë reagimin e këngëtares. Dafina tani ndodhet jashtë vendit dhe nuk ka komentuar ende për këtë çështje.

No comments:

Post a Comment