Tuesday, August 27, 2013

Monika Lubonja: Linjat, rezultat i nënës natyrë

Sapo ka mbyllur me sukses një projekt mjaft interesant kushtuar fëmijëve dhe kjo gjë e bën të ndihet mirë, e çliruar për ta shijuar siç duhet verën. Monika Lubonja, artistja e dashur e skenës shqiptare do t’i bashkëngjitet sot faqeve të verës me një rrëfim mjaft të veçantë, duke sjellë tek lexuesit copëza nga fëmijëria e saj, bashkë me ca detaje nga pushimet e para dhe të fundit, të kaluara bukur me të bijën, në ‘shkuma party’… Sigurisht, nuk mungon në këtë rrëfim as përgjigjja e pyetjes: ‘Si ia bën që je kaq në formë?’, – për të cilën Monika thotë se deri tani gjithçka ka qenë rezultat i nënës natyrë, por në shtator fillon aksioni. Është koha për palestër. Megjithatë deri atëherë na kanë mbetur edhe disa ditë, ndaj ju ftojmë edhe ju të çlodheni, (siç Monika po bën) duke lexuar këtë intervistë e duke kundruar nga ana tjetër linjat e përsosura të aktores… Ende pa efektin palestër.
Monika, sapo ke mbyllur me sukses një projekt shumë interesant kushtuar fëmijëve. Pesë shfaqje në qendër të Vlorës për të vegjlit. Si të lindi ideja për këtë projekt dhe cilat ishin pritshmëritë e tua?
Është shumë e vërtetë që ne kemi mbyllur me shumë sukses shfaqjet për fëmijë në Vlorë, në një nga qytetet më mikpritëse në sezonin turistik. Kjo është hera e dytë që qendra “Art Blu” ndodhet në këtë qytet me shfaqjet për fëmijë. Vjet mora iniciativën për të çuar shfaqjet për fëmijë në qytete ku turizmi është shumë i zhvilluar. Kjo ide erdhi nga arsyetimi se, gjatë sezonit turistik ata që duhet të kenë një jetë artistike mbrëmjeve janë edhe fëmijët, pasi koha e darkës është pothuajse bosh për ta. Kur prindërit e tyre janë duke biseduar me njëri-tjetrin për orë të tëra, fëmijët rrinë të ulur duke dëgjuar biseda të mërzitshme. Ose e shumta luajnë edhe ata me njëri-tjetrin, por ndodh të mërziten herë pas here me të njëjtat lojëra. Zakonisht orët e darkës për ta janë bosh. Ndaj mendova të jem pranë tyre me shfaqjet që qendra “Art Blu” ka për fëmijët.
Sa i vështirë ishte realizimi dhe çfarë impakti more?
Në fakt ky është viti i dytë që ne realizojmë shfaqje dhe e kemi sheshin plot e përplot. Sivjet sidomos ishte fantastike! Nuk e merrni dot me mend, po kur thamë që kjo do të jetë shfaqja e fundit, fëmijët nuk ikën nga sheshi, po hipën në skenë e kërcyen me aktorët e pjesës. Shumë na pyesnin: “Kur do vini prapë, pse nuk do jeni edhe nesër në shesh?”. Suksesi ishte me të vërtetë absolut, madje një të shtunë kishte tri shfaqje në shesh, ishin Parodistët e Vlorës, ishim ne, dhe po atë ditë kishin ardhur edhe aktorët e “Portokallisë”. Po ju them pa asnjë ekzagjerim se ne e kishim sheshin plot dhe asnjë fëmijë apo prind nuk u largua për në koncertet e tjera. Kjo vërtetoi edhe një herë se ata që duhet të kënaqen më shumë në sezonin turistik janë fëmijët. Po edhe prindërit vetëm t’i shikonit, qeshnin më shumë se të vegjlit. Teatri ka magjinë e vet të padiskutueshme. Këtu dua të bëj një falenderim të veçantë për Bashkinë e Vlorës dhe për kryetarin, z.Shpëtim Gjika, që për herë të dytë bënë të mundur realizimin e
aktiviteteve të qendrës “Art Blu” në Vlorë.
Meqë po flasim për fëmijët, ti si e kujton fëmijërinë tënde?
Fëmijëria ime ishte shumë e veçantë. Gjithmonë shëtisja me prindërit në Durrës, ose vizitoja Turizmin e bukur të Krujës. Sigurisht që edhe mërzitesha shpesh, pasi isha vajzë e vetme e s’kisha as motër e as vëlla. Mirëpo fatmirësisht isha një fëmijë që bëja shpejt shoqëri. Në ato kohë edhe jeta kulturore ka qenë shumë më e pasur. Më kujtohet që vinin artistët e cirkut, që unë i pëlqeja aq shumë, dhe shkoja gjithmonë për t’i parë. Vinte edhe kinemaja, që për mua ishte si ushqimi im shpirtëror. Po ashtu vinte “Teatri i Kukullave”, kishte mbrëmje vallëzimi. Tani dikujt mund t’i vijë për të qeshur me këto që them, po atëherë pistat e plazheve kishin një atmosferë krejtësisht ndryshe. Ka pasur më tepër ngjyra. Më vjen për të qeshur kur kujtoj plazhin… Ne rrinim në Turizëm, dhe unë vdisja të shkoja të rrija tek njerëzit tanë që ishin vendosur në kabinat. Babi çmendej fare (qesh). Nuk do të harroj kurrë edhe ditët e shumta të qëndrimit në Durrës tek tezja. Dita niste me udhëtimin me autobus nga Durrësi për në “Hekurudha” bashkë me gocën e tezes. Tani që e mendoj dhe nga nostalgjia më rizgjohen kaq shumë kujtime, kuptoj që kanë ndryshuar kaq shumë gjëra në ditët e sotme.
Ç’mendon për fëmijët e sotëm?
Me keqardhje të madhe shoh se fëmijët e sotëm nuk e kanë atë zbavitje që kemi pasur ne. Do kisha shumë dëshirë që fëmijët sot të mund të bënin gjysmën e atyre që kam bërë unë në fëmijërinë time. Jo më kot iniciativa ime ishte që të punoja me teatrin për fëmijë gjatë pushimeve, në mënyrë që të vegjlit të kalojnë disa minuta të këndshme dhe zbavitëse. Vitin e ardhshëm ne do ta zgjerojmë këtë iniciativë dhe do të shkojmë në të gjithë jugun, aty ku ka pushues të vegjël. Kështu, ata do të shikojnë përrallat tona të bukura dhe të realizuara me mjeshtëri nga regjisori italian Paulo Cometale, dhe nga aktorët e mrekullueshëm: Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari dhe aktorja e re e talentuar Jorida Marsi.
Si kalohet stina e nxehtë mes punës dhe pushimeve?
Eh, është pak vështirë të mendosh për pushime kur ke shfaqje për të bërë, se duhet të rendësh të shikosh sheshin, të ngjisësh posterat, të gjesh ndriçimin e shumë të tjera si këto. Pushimet e mia sivjet kanë qenë plot ankth dhe emocione. Derisa trupa të fillojë përgatitjet, mua s’më mban vendi. Pastaj, në momentin që trupa me në krye Shegushen fillon e përgatitet, qetësohem shumë, pasi e di që edhe ata vetë i kanë shumë merak shfaqjet. Në momente të tilla them me vete “uf, shpëtova tani” (qesh). Ditët pas shfaqjeve shkojmë me grupin për t’u çlodhur në plazh… Me vete si gjithmonë kam Tean. Ne nuk mund të rrimë pa bërë pushime me njëra-tjetrën.
Cili ka qenë vendi më i bukur që ke vizituar?
E ku ka më bukur se bregdeti i jugut?! Këtë vit isha në Jalë. Nuk kisha qenë asnjëherë më parë dhe më pëlqeu shumë. Më e bukura ishte se qëlluam pikërisht në momentet kur po bëhej një festë dhe filloi një shkumë e paparë. Jam kënaqur pafund e nuk doja të ikja. Desh harrova dhe shfaqjen (qesh).
Ndërkohë, kanë përbërë gjithmonë kuriozitet linjat e tua… Si ia del t’i ruash? Deri tani s’ke bërë asnjë ndërhyrje, por a i mendon për të ardhmen?
Sigurisht që kur je artiste, është një farë detyrimi që të kesh gjithmonë një paraqitje të mirë. Deri tani unë nuk jam kujdesur fare për linjat e mia, por kjo sepse kam pasur fatin që natyra më ka dashur (qesh). Këtë dimër në fakt kam shtuar ca kile, të cilat me thënë të drejtën nuk është se më shqetësuan aq shumë. Megjithatë në shtator do të regjistrohem në palestër, ku bashkë me një trajner do të stërvitem rregullisht për të mbajtur linjat e për të tonifikuar trupin. “Tani ka ardhur koha për palestër”, i thashë Monikës (qesh). E di që do më duhet shumë vullnet për të përballuar palestrën dhe do të jetë një provë e madhe. Të shohim ç’do të ndodhë në shtator…

No comments:

Post a Comment